Avokati i Popullit i Kosovës, Naim Çelaj, ka shprehur shqetësim serioz për situatën e krijuar në Radio Televizionin e Kosovës (RTK), ku afro 700 punonjës janë lënë pa paga mujore për shkak të bllokadës institucionale dhe mungesës së funksionimit të Kuvendit të Kosovës.
Në një komunikatë për media, bëhet e ditur se Çelaj është informuar për situatën në një takim të mbajtur më 18 korrik me drejtuesit e RTK-së, ku u theksua se mospagesa e pagave ka ardhur si pasojë e mungesës së një organi funksional për miratimin e shpenzimeve buxhetore, për shkak të moskonstituimit të Kuvendit.
“Kjo gjendje nuk është vetëm krizë politike, por rrezik i drejtpërdrejtë për shkelje të të drejtave themelore të njeriut. Punonjësit nuk mund të mbahen peng të mosfunksionimit institucional”, thekson Avokati i Popullit.
Çelaj ka theksuar tri të drejta thelbësore që po cenohen në këtë situatë:
E drejta mbi pasurinë – Paga e fituar me punë përbën interes të mbrojtur pronësor dhe mosshpërndarja e saj për arsye politike përbën ndërhyrje të paligjshme.
E drejta për qasje në drejtësi – Në mungesë të funksionimit të institucioneve, punonjësit nuk kanë mundësi të kërkojnë zgjidhje efektive ligjore.
Liria e shprehjes – Nëse situata vazhdon të ndikojë në funksionimin e RTK-së si medium publik, rrezikohet edhe e drejta e publikut për informim të lirë dhe të paanshëm.
Çelaj ka kërkuar nga Qeveria në detyrë që të ndërmarrë hapa urgjentë për zgjidhjen e përkohshme të krizës, përmes aktivizimit të instrumenteve buxhetore emergjente, që do të mundësonin pagesën e menjëhershme të rrogave për punonjësit e RTK-së.
“Shteti nuk mund të heqë dorë nga përgjegjësitë themelore ndaj qytetarëve vetëm pse institucionet janë në krizë. Mospagesa e rrogave nuk është çështje teknike – është çështje dinjiteti, sigurie jetike dhe drejtësie sociale”, ka deklaruar Çelaj në përfundim.