Deni Avdija është një ndër basketbollistët më të njohur izraelitë që po shkëlqen në NBA. 24-vjeçari, me shtetësi izraelite dhe serbe, aktualisht është pjesë e ekipit të Portland Trail Blazers. Ai vjen nga një familje me rrënjë të thella në sportin e basketbollit.
Babai i tij, Zufer Avdija, është një emër i njohur për adhuruesit e basketbollit të ish-Jugosllavisë. I lindur në Prishtinë dhe me origjinë nga komuniteti goran, Zuferi tashmë 65 vjeç, jeton prej dekadash në Izrael. Karrierën e nisi te Elektrokosova në Prishtinë, për t’u transferuar më pas në vitin 1979 te Cërvena Zvezda në Beograd, ku qëndroi për një dekadë. Më vonë, ai luajti për disa klube në Izrael. Interesante është se fillimisht ai kishte nisur si portier në klubin e futbollit Ramiz Sadiku.
Deni, i rritur mes kulturave të ndryshme, e ka trashëguar pasionin për sportin nga i ati dhe është gati të udhëheqë përfaqësuesen izraelite në Eurobasket 2025, që zhvillohet pas pak javësh.
“Në këtë moment, dua të lë mënjanë NBA-në. Për mua, ekipi kombëtar i Izraelit është prioriteti më i madh dhe nderi më i lartë që mund të ketë një basketbollist”, ka deklaruar Deni për faqen zyrtare të FIBA-s.
“Jam jashtëzakonisht krenar që përfaqësoj Izraelin. Kjo është shumë më tepër se basketboll – është një çështje zemre dhe identiteti”, shtoi ai.
Deni Avdija është fryt i një përzierjeje kulturore – nëna e tij është izraelite – dhe kjo e bën edhe më të veçantë kontributin e tij në arenën ndërkombëtare.