Pas përfundimit pa rezultat të seancës së 52-të konstituive të Kuvendit të Kosovës, kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar se shkaku kryesor i ngërçit institucional është mungesa e votave nga Lëvizja Vetëvendosje për të formuar shumicën qeverisëse.
Në një deklaratë për media, Limaj tha se nëse do të kishte vota të mjaftueshme, Kuvendi do të ishte konstituuar dhe institucionet tashmë do të ishin funksionale.
“Po të ishin votat, shumica e qeverisë do ta zgjedhte kryetarin e Kuvendit. VV-së i mungojnë votat, dhe kjo është arsyeja që jemi në këtë situatë”, u shpreh Limaj.
“Nisma ka vetëm 3 vota, por jemi të gatshëm të ndihmojmë”
Limaj theksoi se Nisma Socialdemokrate është e gatshme të kontribuojë në tejkalimin e krizës, por theksoi kufizimet numerike të partisë së tij.
“Ne si Nismë kemi qenë dhe jemi të gatshëm të kontribuojmë në ndërtimin e institucioneve. Do ta japim kontributin tonë maksimal, por mos harroni – Nisma ka vetëm tri vota”, tha Limaj.
Kjo deklaratë vjen në një kohë kritike, pasi nesër (26 korrik) është dita e fundit për konstituimin e Kuvendit, përpara se të hyjë në fuqi masa e përkohshme e Gjykatës Kushtetuese, e cila ndalon çdo veprim të mëtejmë për konstituim nga 27 korriku deri më 8 gusht.
Seanca e radhës pritet të mbahet të premten, në orën 14:00 – një përpjekje e fundit për të shmangur një bllokadë institucionale që mund ta shtyjë vendin drejt zgjedhjeve të reja.