Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook se ka pritur sot pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), të cilët me sukses kanë përfunduar Kursin Kualifikues për Forcat Speciale.
Në takim, krahas ministrit Maqedonci, ishte i pranishëm edhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, me të cilin ndanë vlerësime për arritjen e re të pjesëtarëve të rinj të ushtrisë.
“Kisha kënaqësinë që së bashku me gjeneral Jasharin të takoj pjesëtarët që kanë përfunduar një nga kurset më sfiduese të FSK-së. Me këtë, ata kanë treguar profesionalizëm, disiplinë dhe përgatitje të jashtëzakonshme,” ka shkruar Maqedonci.
Kursi Kualifikues për Forcat Speciale konsiderohet ndër më të vështirët në strukturën ushtarake të Kosovës, dhe përfundimi i tij është dëshmi e kapaciteteve të larta fizike dhe psikologjike të pjesëtarëve të FSK-së.
Ministri theksoi se ngritja profesionale e pjesëtarëve të Forcës është bazë e fortë për ndërtimin e një ushtrie moderne dhe funksionale.
“Krenar me ushtrinë tonë!” përfundoi ai mesazhin e tij, duke nënvizuar përkushtimin për mbështetjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të FSK-së.