Autori është Profesor Universitar i Ekonomisë
Kosova sot ndodhet përballë një dështimi të madh ekonomik dhe zhvillimor, e krijuar nga kokëfortësia institucionale dhe paaftësia menaxhuese e vetë Qeverisë së saj. Kosova po humb fondet në dy kanale të ndryshme nga BE dhe me motive të ndryshme: Së pari për shkak të sanksioneve për veprimet e pakoordinuara po i humb fondet e IPA II dhe III – 218 milionë euro dhe WBIF – 395.5 milionë euro. Së dyti, për shkak të moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës po rrezikon të humb fondet e planifikuara të Planit të Rritjes – 888 milionë euro.
Një raport i fundit i Institutit për Studime të Avancuara ka treguar me fakte për humbjen ose pezullimin e 615 milionë eurove në projekte të mbështetura nga Bashkimi Evropian, ndërsa, para pak ditëve në Shkup, Komisionarja për Zgjerim, Marta Kos, në praninë e Albin Kurtit tha se fondet e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor (për Kosovën 888 mln euro) janë në duart tuaja por ju duhet të dini t’i merrni dhe t’i shfrytëzoni.
Këto nuk janë thjesht shifra në letër – është një faturë konkrete që po e paguajnë qytetarët! Me këto fonde, më së shumti është dëmtuar sektori i mjedisit, me 350.7 milionë euro të pezulluara. Me 350.7 mln euro është pritur që të investohen për të reduktuar ndotjen e ajrit, për trajtimin e mirëfilltë të mbeturinave dhe përmirësimin e infrastrukturës mjedisore që ndikon direkt në shëndetin publik.
Pastaj vjen sektori i energjisë me 114.4 mln euro, dixhitalizimi me rreth 57 milionë euro dhe kultura me 15 milionë euro. Të gjitha këto janë fusha me ndikim të drejtpërdrejtë në mirëqenien ekonomike dhe sociale të qytetarëve.
Në vend që Kosova të përdorte me zgjuarsi instrumentet e IPA II, IPA III dhe Kornizën e Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF), qeveria ka zgjedhur që projektet të bllokohen ose të anulohen duke mos u koordinuar, duke u treguar e papërgjegjshme dhe pa vullnet për bashkëpunim institucional. Sipas raportit, vetëm për shkak të tejkalimit të afateve tashmë janë humbur 7.1 milionë euro, ndërsa qindra miliona euro janë pezulluar në fusha kyçe si mjedisi, energjia dhe dixhitalizimi.
Për ironi të fatit, në të njëjtën kohë kur Kosova po dështon me fondet ekzistuese, ajo po rrezikon të mos përfitojë as nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, një mundësi tjetër historike prej 6 miliardë eurosh, nga të cilat 888 milionë janë parashikuar për Kosovën. Këto mjete do të investohen në infrastrukturen e transportit dhe energjisë të cilat do të ndikonin drejtëpërdrejtë në përmirësimin e kushteve për bizneset e Kosovës.
Por për të përfituar nga ky Plan, duhet përmbushur një kusht i thjeshtë: formimi i institucioneve dhe ratifikimi i marrëveshjeve përkatëse. Dhe pikërisht këtu Kosova ka ngecur. Kriza politike e vazhdueshme, mungesa e kompromisit dhe zvarritja e procesit të konstituimit të Kuvendit, po e bën vendin jo vetëm të papërgjegjshëm në sytë e BE-së, por edhe të pabesueshëm si partner.
Është koha që lidershipi i Kosovës të ndalë së mbajturi fjalime për “rrugën drejt Evropës” dhe të fillojë të veprojë si një vend serioz që aspiron integrimin evropian. Dyert e BE-së nuk do të qëndrojnë gjithmonë të hapura. Në vend që të kërkojmë fajtorë jashtë vendit, është koha për reflektim të thellë dhe llogaridhënie të brendshme.
Të humbasësh një herë fonde, është problem menaxhimi. Të rrezikosh t’i humbasësh dy herë, është papërgjegjësi kombëtare.