Pas largimit të Luka Modric drejt Milanit, Real Madrid është në kërkim të një udhëheqësi të ri për mesin e fushës – dhe sipas mediave angleze, synimi kryesor është ylli i Manchester City-t, Rodri.
Nën drejtimin e trajnerit të ri Xabi Alonso, “Los Blancos” po përgatiten për një revolucion të lehtë në skuadër, dhe boshti i mesfushës është prioriteti absolut. Kroati legjendar Luka Modric i ka dhënë lamtumirën klubit pas më shumë se një dekade lavdie dhe, në vendin e tij, Real kërkon një emër të madh, të aftë për të komanduar lojën që nga qendra.
Sipas “The Sun”, klubi madrilen është gati të ofrojë plot 115 milionë euro për të transferuar Rodri, i cili konsiderohet nga Pep Guardiola si elementi më i pazëvendësueshëm i City-t. Kontrata e mesfushorit spanjoll është e vlefshme deri në vitin 2027, por Real Madrid nuk e ka problem të shpenzojë shifra marramendëse kur bëhet fjalë për përforcime të kalibrit më të lartë.
Rodri, 29 vjeç, është një nga mesfushorët më të kompletuar në botë dhe roli i tij u bë edhe më i dukshëm pas mungesës për shkak të një dëmtimi serioz sezonin e kaluar, që la boshllëk të madh në skuadrën e City-t. Xabi Alonso, ish-mesfushor i klasit botëror dhe tashmë trajner, e ka ndjekur me vëmendje zhvillimin e Rodrit dhe e sheh atë si liderin ideal për projektin e ri në “Santiago Bernabéu”.
Për momentin, nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga klubet, por në Madrid ka optimizëm se me “forcën e parasë” dhe prestigjin e klubit, mund të realizojnë një tjetër goditje galaktike. Priten zhvillime në ditët në vijim.