Pas dështimit të radhës për të konstituuar Kuvendin e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje nuk dorëzohet. Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ka njoftuar se të premten, më 26 korrik, në orën 14:00, do të mbahet një seancë e re – e fundit përpara skadimit të afatit kushtetues për konstituimin e legjislaturës së re.
“Si kryesues i seancës, seancën e radhës e mbajmë nesër, nga ora 14:00”, deklaroi Dehari para mediave, pas përfundimit të seancës së 52-të që dështoi të sillte ndonjë zgjidhje.
Kjo seancë zhvillohet në ditën e fundit të afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, e cila të enjten vonë vendosi masë të përkohshme që ndalon çdo veprim të deputetëve për konstituim të Kuvendit nga data 27 korrik deri më 8 gusht 2025.
Vendimi i Kushtetueses u mor pas kërkesës së Partisë Demokratike të Kosovës dhe specifikon se çdo veprim pas datës 26 korrik do të jetë i ndaluar dhe mund të konsiderohet jokushtetues.
Edhe pse afati ligjor është në skaj të fundit, Vetëvendosje vazhdon të këmbëngulë me kandidaturën e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, megjithëse partitë opozitare – PDK, LDK dhe AAK – nuk japin shenja se do të ndryshojnë qëndrim.
Çështja e votimit të fshehtë mbetet një tjetër pikë tensioni, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që një kompromis i minutës së fundit të shmangë një krizë të thellë institucionale.
Nëse as seanca e nesërme nuk sjell konstituimin e Kuvendit, Kosova përballet me një bllokadë politike, ndërsa zërat për zgjedhje të reja po bëhen gjithnjë e më të zëshëm.