Zemaj: VV nuk e ka hallin e Kuvendit, por të Qeverisë – mungojnë numrat për koalicion

by engel

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje (VV) nuk është e interesuar realisht për konstituimin e Kuvendit, por se problemi i vërtetë qëndron tek mungesa e numrave për formimin e Qeverisë. Këto komente Zemaj i bëri për media, pak para fillimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Zemaj komentoi edhe vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se ai i paraprinë kërkesës së LDK-së për interpretimin e sjelljes së kryesuesit të seancës konstituive dhe ndryshimit të procedurës së votimit për kryetarin e Kuvendit.

banner

“Kjo i paraprinë kërkesës sonë që e kemi dërguar për interpretim të sjelljes së kryesuesit të Kuvendit, ndërrimit të procedurës së votimit”, deklaroi ai.

Sipas tij, masa e përkohshme e vendosur nga Gjykata Kushtetuese ka dy kuptime:

Parandalon keqpërdorimet e mundshme gjatë seancës konstituive.

Jep hapësirë shtesë për Vetëvendosjen, në mënyrë që të gjejë bashkëpunim dhe mirëkuptim për konstituimin e Kuvendit dhe më pas për formimin e Qeverisë.

“Për mua personalisht ndoshta i ka dy kuptime kjo çështja e masës. E para që nuk dëshiron të lë ndonjë vakum për keqpërdorimin e seancës… dhe e dyta ndoshta t’i japë hapësirë akoma Lëvizjes Vetëvendosje që të gjejë mirëkuptimin dhe mirëbesimin për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit,” u shpreh Zemaj.

“Albin Kurti s’i ka numrat për Qeverinë”

Zemaj ishte i qartë në vlerësimin e situatës politike, duke deklaruar se Albin Kurti dhe partia e tij nuk i kanë numrat për koalicionin qeverisës, dhe se kjo është arsyeja reale e zvarritjes.

“Problemi tashmë është i qartë, ajo çka është evidente: Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje nuk e kanë hallin e Kuvendit, e kanë hallin e Qeverisë. Nuk i kanë numrat për koalicionin qeverisës dhe ky ngërç është pasojë e kësaj.”

Zgjedhjet si opsion i pashmangshëm

Duke folur për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, Zemaj tha se ato janë gjithmonë një opsion i vlefshëm brenda kornizës kushtetuese, duke nënvizuar se LDK është e gatshme për çdo skenar politik që mund të dalë nga situata aktuale.

“Zgjedhjet janë gjithmonë opsion, sepse janë pjesë kushtetuese dhe procedurale. Ne si parti e pjekur dhe e shtrirë në gjithë Kosovën jemi gjithmonë të gatshëm.”

Sot pritet zhvillimi i seancës së fundit konstituive para skadimit të afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese. Nëse Kuvendi nuk konstituohet, Kosova mund të përballet me një krizë të thellë institucionale dhe me perspektivën e zgjedhjeve të reja.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy