Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka shprehur pesimizëm lidhur me mundësinë e krijimit të institucioneve të reja në afatin e përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese. Në një deklaratë për Ekonomia Online, ai tha se bllokada politike e shkaktuar nga Lëvizja Vetëvendosje po pamundëson zgjidhjen e krizës institucionale.
“Duhet shfrytëzuar çdo moment, çdo minut që të kemi institucione të reja. Por me këtë logjikë dhe këtë bllokadë që është evidente nga VV-ja, nuk pres që mund të ketë diçka as pas dy jave,” u shpreh Zemaj.
Këto komente vijnë në kohën kur Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur një masë të përkohshme që ndalon çfarëdo veprimi për konstituimin e Kuvendit të ri. Sipas vendimit, kjo masë mbetet në fuqi nga 27 korriku deri më 8 gusht 2025, duke ua ndaluar deputetëve që të ndërmarrin ndonjë hap për krijimin e organeve të reja parlamentare gjatë kësaj periudhe.
Zemaj konsideron se pavarësisht urgjencës për t’u kthyer në normalitet institucional, mungesa e vullnetit politik nga mazhoranca aktuale ka thelluar krizën.
Kjo situatë po shkakton shqetësim gjithnjë e më të madh në skenën politike të Kosovës, në një kohë kur vendi përballet me sfida të brendshme dhe ndërkombëtare që kërkojnë institucione funksionale dhe të qëndrueshme.