Pas dështimit të 53-të me radhë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, ka reaguar analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Burim Ramadani, i cili e ka cilësuar situatën si vulosje të përfundimit të çdo shprese për një Qeveri Kurti 3.
Në një postim në rrjete sociale, Ramadani është shprehur se ky bllokim institucional është rezultat i një mendësie politike përjashtuese dhe të dëmshme për stabilitetin demokratik të vendit.
“Kjo është bllokada edhe sot, edhe derisa të zhvleftësohet mendësia ‘o unë sërish në pushtet, o askush tjetër!’”, shkruan ai, duke e konsideruar situatën si një rrëshqitje të rrezikshme drejt kolapsit të shtetit, që sipas tij përbën një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare të Kosovës.
Ramadani thekson se vendi ndodhet në një pozitë të paprecedentë, ku ekziston një qeveri pa funksionalitet parlamentar, një gjendje që e përshkruan me fjalinë alarmante:
“Kosova ka Qeveri, por s’ka Parlament!”
Ai bën thirrje për ndërgjegjësim të klasës politike dhe për ndaljen e qasjes bllokuese që po paralizon institucionet dhe po thellon krizën politike e kushtetuese në vend.