Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka komentuar vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, duke e quajtur masën e përkohshme të saj si një hap të shkurtër, që lë të kuptohet se brenda dy javësh pritet një vendim final.
Në një intervistë për EO, Haradinaj theksoi se me përfundimin e afatit 30-ditor më 27 korrik, pritet një zgjidhje konkrete nga Kushtetuesja deri më 8 gusht.
“Si e tillë është vetëkuptuar edhe me vendimin e parë që të ketë një afat 30-ditor. Masa është shumë e shkurtër, vetëm dy javë, që i bie që Gjykata do të dalë edhe me një vendim të ri brenda dy javëve. Shpresoj që do të jetë një zgjidhje finale”, tha Haradinaj.
Ai shtoi se kjo periudhë e ndërmjetme është dashur të shfrytëzohej për të gjetur një zgjidhje institucionale, veçanërisht për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe krijimin e qeverisë. Haradinaj ngriti shqetësime për dëmet e shumta që, sipas tij, po i shkaktohen vendit për shkak të bllokadave institucionale.
“Dëmet janë të shumta si në planin e brendshëm ekonomik, të sigurisë, planin e jashtëm ndërkombëtar me kredibilitetin tonë. Dëmet financiare që nuk po i marrim fondet që na takojnë. Buxheti nuk po funksionon, të gjitha këto janë pasoja. Ishte dashur të shfrytëzohej 30-ditëshi për t’u gjetur formula për të zgjedhur kryeparlamentarin, sepse ka opsione për krijimin e qeverisë. Nëse jo, është dashur t’u kalonte e drejta partive të tjera”, tha ai.
Haradinaj nuk kurseu kritikat ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, të cilin e akuzoi për bllokimin e qëllimshëm të proceseve demokratike dhe institucionale në vend.
“Po e shihni që zoti Kurti po e mban peng Kosovën, e ka ndarë mendjen të bëjë keq e më keq vendin. Krejt çka po i ndodh Kosovës është në favor të armiqve të Kosovës, më së shumti të Serbisë dhe Rusisë. Ai po e udhëheq me përpikëri agjendën e tyre”, theksoi Haradinaj.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili përfshin një masë të përkohshme për pezullimin e disa proceseve parlamentare, është bërë qendër e debatit politik dhe juridik në vend. Me afatin që përfundon brenda pak ditësh, të gjithë sytë janë tani nga Kushtetuesja për të parë nëse do të sjellë një zgjidhje të qartë dhe përfundimtare për krizën aktuale politike në Kosovë.