Haradinaj për vendimin e Kushtetueses: Masa e shpallur nga Gjykata përmban një afat vetëm dyjavor, gjë që sipas tij sugjeron një zgjidhje të afërt

by engel

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar ndaj masës së përkohshme të Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar atë si një afat shumë të shkurtër dhe duke shprehur pritshmërinë që brenda dy javëve të ardhshme të merret një vendim përfundimtar për krizën institucionale në Kuvend.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Haradinaj tha se masa e shpallur nga Gjykata përmban një afat vetëm dyjavor, gjë që sipas tij sugjeron një zgjidhje të afërt.

banner

“Masa është shumë e shkurtër, vetëm dy javë, që do të thotë se Gjykata do të dalë me një vendim të ri brenda kësaj periudhe. Shpresoj të jetë një zgjidhje finale, sepse më 27 korrik përfundon afati 30-ditor. Deri më 8 gusht pritet një sqarim përfundimtar për mënyrën se si do të veprohet,” theksoi Haradinaj.

Ai kritikoi mënyrën si është menaxhuar situata deri tani, duke thënë se periudha e mëparshme 30-ditore është dashur të shfrytëzohej për të gjetur një zgjidhje institucionale, përfshirë zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe mundësitë për formimin e qeverisë.

“Dëmet janë të mëdha, në ekonomi, siguri dhe në planin ndërkombëtar. Buxheti nuk po funksionon, fondet nuk po barten, dhe po cenohet kredibiliteti ynë jashtë vendit. Ishte dashur të shfrytëzohet afati për të gjetur një formulë politike, qoftë për krijimin e qeverisë, ose për t’i kaluar të drejtën partive të tjera,” u shpreh ai.

Në vazhdim, Haradinaj akuzoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për bllokimin e institucioneve dhe procesit demokratik në vend.

“Zoti Kurti po e mban peng Kosovën. Ai ka vendosur të dëmtojë vendin me çdo kusht. Çdo gjë që po ndodh i shkon në favor Serbisë dhe Rusisë. Ai po e ndjek agjendën e tyre me përpikëri,” tha kreu i AAK-së.

Situata politike në Kosovë ka hyrë në një fazë të tensionuar pas mosmarrëveshjeve për zgjedhjen e kryeparlamentarit, ndërsa vendimi përfundimtar i Kushtetueses pritet të jetë kyç për ecurinë e mëtejme institucionale.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy