Deputetja më e re e Kuvendit të Kosovës, Sala Jashari nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka reaguar pas dështimit të seancës së 53-të për konstituimin e Kuvendit, duke i drejtuar një thirrje publike Lëvizjes Vetëvendosje për reflektim politik dhe “zgjim demokratik”.
Nga foltorja e sallës plenare, Jashari u shpreh se partitë opozitare po vazhdojnë të marrin pjesë në seancat konstituive si formë proteste ndaj bllokadës që sipas tyre po e mban në fuqi mazhoranca.
“Ne, partitë tjera, vazhdojmë me këtë seancë protestuese. Më lejoni që, si deputetja më e re në Kuvend, ta shfrytëzoj këtë të drejtë jo për një fjalim të zakonshëm parlamentar, por si një thirrje publike për drejtësi dhe për një zgjim të thellë demokratik,” deklaroi Jashari.
Kjo deklaratë vjen pak para se Kuvendi të mbledhet për herë të 54-të në përpjekje për të konstituar institucionet, ndërkohë që vendi ndodhet në një ngërç të zgjatur institucional dhe politik.
Seanca e re pritet të mbahet sonte në orën 22:00, në ditën e fundit para hyrjes në fuqi të masës së përkohshme të Gjykatës Kushtetuese, që ndalon çdo veprim për konstituimin e Kuvendit deri më 8 gusht.