Shkruan: Valon Prestreshi
Në mbi 10 dhjetë raste të gjykuara, Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti ka shkelur Kushtetutën e Republikës së Kosovës – me vetë Kryeministrin në rolin e shkelësit kryesorë.
Në rastin e rezervave shtetërore të bukës, miellit dhe vajit indiciet dhe faktet e deritanishme tregojnë për një skemë të mirëorganizuar të shpërdorimit dhe zhdukjes së tyre, ku përgjegjësia politike dhe ligjore shkon deri te vetë Kryeministri, si figura kryesore e një strukture të dyshuar për keqpërdorim të qëllimshëm të pasurisë publike dhe të popullit.
Po ashtu, afera e shitjes së energjisë elektrike në kohën e krizës energjetike, me pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët dhe ekonominë vendore, dëshmon për një model të ri të hajnive të sofistikuara, ku gjithçka maskohet nën retorikën populiste dhe përpjekjet për të kriminalizuar opozitën, ndërsa marrëveshjet e dyshimta për vjedhje të rrymës i përfaqëson një ambasador i përfolur për servilizëm dhe dështim profesional.
Albin Kurti është bërë simboli i një tradhtie politike që ka izoluar Kosovën nga partnerët perëndimorë, ka tensionuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ka minuar pozitën ndërkombëtare të shtetit të Kosovës.
Ekonomia vendore është goditur rëndë nga një model qeverisës që përpiqet të imponojë elemente të një mendësie komuniste, të tejkaluar dhe të dështuar kudo në botë. Nismat që duhej të garantonin zhvillim dhe stabilitet janë shndërruar në përpjekje për kontroll të plotë të tregut dhe institucioneve të pavarura.
Kjo mendësi anti-perëndimore, anti-demokratike dhe thellësisht e rrezikshme për të ardhmen e Kosovës po i vjen fundi.
Kosova ka nevojë për drejtësi, llogaridhënie dhe një qeverisje që nuk fshihet pas flamurit, por që mbron interesin publik dhe Kushtetutën e saj.