Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur sot aktgjykimin për rastin e sulmit ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor (KKZ) në Mitrovicë të Veriut, që ndodhi më 6 dhjetor të vitit 2022.
Të akuzuarit Millun Millenkoviq, i njohur si “Llune”, dhe Aleksandër Vllajiq, janë dënuar me nga pesë vjet burgim secili, për rolin e tyre në organizimin dhe kryerjen e sulmit që u cilësua si përpjekje për të penguar procesin zgjedhor në atë pjesë të vendit.
Ndërkohë, Dejan Pantiq është dënuar me dy vjet burgim, ndërsa Miomir Vakiq është shfajësuar nga akuzat dhe është liruar nga përgjegjësia penale.
Seanca e shpalljes së aktgjykimit është mbajtur pa praninë fizike të të akuzuarve, pasi ata kishin kërkuar paraprakisht të mos jenë të pranishëm gjatë leximit të vendimit.
Sulmi ndaj zyrave të KKZ-së kishte shkaktuar tensione në komunat veriore dhe ishte cilësuar si një tentim i hapur për të destabilizuar procesin zgjedhor në veri të Kosovës. Organi i akuzës kishte argumentuar se veprimet e të pandehurve kishin për qëllim të frikësonin zyrtarët zgjedhorë dhe të pengonin ushtrimin e detyrës së tyre ligjore.
Gjykata ka bërë të ditur se vendimi mund të ankimohet në instancat më të larta brenda afatit ligjor.