Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, po e nis epokën e tij në “Camp Nou” me ide të qarta dhe vendime të guximshme.
I njohur për besimin tek talentët e rinj, tekniku gjerman nuk heziton të lërë në stol emra të mëdhenj për t’i dhënë hapësirë yjeve të së ardhmes.
I fundit që përfiton nga kjo filozofi është Dro Fernandez, një 17-vjeçar me prapavijë të La Masia-s, i cili shkëlqeu në debutimin me skuadrën e parë në miqësoren kundër Vissel Kobe.
Dro – emri i plotë i të cilit është Pedro Fernandez Sarmiento – u aktivizua në minutën e 80-të në vend të Marcus Rashford dhe vetëm tetë minuta më vonë shënoi golin e tij të parë me fanellën blaugrana.
Një yll që po lind
I lindur në Vigo, Dro iu bashkua akademisë së Barcelonës në verën e vitit 2022 dhe aktualisht është pjesë e ekipit “Juvenil A”. Ai ka kontratë me klubin deri në vitin 2027, por Barcelona ka nisur tashmë diskutimet për rinovimin dhe përmirësimin e saj, duke qenë se nuk dëshiron të humbasë këtë talent të rrallë.
Me një teknikë të jashtëzakonshme, vizion të qartë loje, kreativitet dhe aftësi për të thyer linjat mbrojtëse, Dro konsiderohet si një nga mesfushorët më premtues në moshën e tij. Ai është gjithashtu pjesë e përfaqësueses U17 të Spanjës.
Flick e pa, e promovoi, dhe nuk u zhgënjye
Flick e vëzhgoi nga afër në seancat stërvitore në Sant Joan Despi, dhe vendosi ta marrë me vete në turneun aziatik të Barcelonës. Besimi u shpërblye menjëherë. Debutimi i tij është një sinjal i qartë: te Barcelona po rritet një tjetër supertalent nga La Masia, dhe Flick është i vendosur t’i japë hapësirën që meriton

