Në pikën kufitare të Bernjakut është parandaluar një përpjekje për kontrabandë të pajisjeve profesionale stomatologjike me vlerë mbi 72 mijë euro, njoftoi Dogana e Kosovës. Si rezultat i operacionit, një person është arrestuar.
Sipas njoftimit zyrtar, i dyshuari kishte deklaruar gjatë kontrollit doganor se po importonte pajisje kuzhine, garderoba dhe dollapë si pjesë e sendeve të tij personale. Bëhet fjalë për një shtetas me nënshtetësi gjermane.
Megjithatë, pas një kontrolli të detajuar nga zyrtarët doganorë në Mitrovicë, u zbulua se ngarkesa përmbante pajisje profesionale stomatologjike me vlerë të përafërt 72,461.23 euro.
Dogana bëri të ditur se i dyshuari nuk kishte leje për import dhe as dokumentacion shoqërues për mallin. Pajisjet janë sekuestruar, ndërsa personi është ndaluar.
“Në koordinim me Prokurorinë, hetuesit doganorë kanë nisur menjëherë veprimet hetimore, dhe me urdhër të prokurorit të shtetit, i dyshuari është arrestuar. Procedurat ligjore janë në vijim”, thuhet në njoftim.