Në prag të ndeshjes së kthimit ndaj FC Dritës në Prishtinë, klubi danez FC Kopenhaga është përballur me një pengesë ligjore lidhur me fanellat e lojtarëve.
Për shkak të legjislacionit të Kosovës, që ndalon reklamimin e kompanive të basteve, Kopenhaga nuk do të mund të shfaqë sponsorin e saj kryesor — kompaninë Unibet — në pjesën e përparme të fanellës.
Kosova mbetet një nga të vetmet vende evropiane, bashkë me Bjellorusinë, ku bastet janë të ndaluara plotësisht që nga viti 2019, kur u miratua ligji për ndalimin e lojërave të fatit. Ky rregullim e bën të paligjshme çdo formë reklame që promovon baste sportive në territorin e saj.
Klubi danez konfirmoi përmes një njoftimi zyrtar se për ndeshjen e së martës, lojtarët do të veshin fanella pa printimin e zakonshëm të sponsorit. Ky ndryshim është bërë në përputhje me kërkesat ligjore të Kosovës.
Takimi ndërmjet Dritës dhe Kopenhagës zhvillohet sonte në ora 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.