Policia Rajonale e Pejës ka sekuestruar gjithsej gjashtë armë zjarri brenda një jave, katër prej të cilave janë gjetur në ahengje familjare apo tubime të ngjashme.
Sipas një njoftimi zyrtar për media, sekuestrimet janë kryer në periudhën 21 deri më 28 korrik 2025. Përveç armëve, policia ka konfiskuar gjithashtu 87 fishekë të kalibrave të ndryshëm, shtatë karikatorë dhe gjashtë gëzhoja.
“Katër nga këto armë janë sekuestruar në ahengje. Janë arrestuar gjashtë persona të dyshuar, të cilët, pas intervistimit nga hetuesit dhe me urdhër të prokurorit të shtetit, janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në komunikatën e policisë.
Policia e Pejës ka theksuar se do të vazhdojë me aksionet në terren për parandalimin dhe luftimin e armëmbajtjes pa leje, sidomos në tubime publike apo private ku rreziku për përdorim të armëve është i lartë.