Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes, Gafurr Dugolli, dhe delegacionin e lartë të ministrisë, ka pritur me ceremoni ushtarake ministrin e Irlandës për Çështje Evropiane dhe Mbrojtje, Thomas Byrne, i cili ishte i shoqëruar nga delegacioni i tij.
Në këtë takim dypalësh u diskutua për marrëdhëniet e ngushta mes Kosovës dhe Irlandës si dhe për përparimin e dukshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Ministri Maqedonci informoi homologun irlandez mbi angazhimet e vazhdueshme të Kosovës për përmbushjen e standardeve të NATO-s – duke filluar nga profesionalizimi i trupave ushtarake e deri te modernizimi i sistemeve të armatimit në përputhje me kërkesat e aleancës.
Ai theksoi përkushtimin e Kosovës për të mbështetur luftën e drejtë të Ukrainës si dhe rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit në rajonin e Ballkanit, ku Kosova pozicionohet si aleat i besueshëm i Irlandës dhe vendeve partnere.
Maqedonci falënderoi ministrin Byrne dhe shtetin irlandez për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, veçanërisht për rolin e trupave irlandeze në misionin paqeruajtës të KFOR-it.
Të dy ministrat shprehën përkushtimin për të thelluar më tej bashkëpunimin ushtarak, duke nënvizuar se përmes bashkëpunimit ndërkombëtar siguria dhe fuqia e përbashkët janë më të qëndrueshme.