Autor: Liridona Beqiri
Sot, më 29 korrik 2025, Kosova është një shtet pa kokë, pa asht, pa shtyllë kurrizore, pa puls, pa nerv, pa zë. Thjesht një shtet i zhveshur përpara botës, I paralizuar nga egoja, i ekspozuar para aleatëve të tij dhe i “marinuar” në 50 Shades of Incompetence.
Një shtet i heshtur i zhytur në mjegull politike.
Që nga zgjedhjet e shkurtit 2025, jeta politike nuk po futet në binarë. Pas më shumë se 50 seancave të dështuara, Kuvendi i Kosovës mbetet monument jofunksionimi, pa Kryetar, pa Qeveri, pa legjitimitet dhe pa asnjë ndjeshmëri ndaj qytetarëve që e kanë votuar këtë klasë politike, por vetëm me një emër që rezulton të ketë më shumë rëndësi se 1.8 milion qytetarë. Parlamenti nuk është më një dhomë e vullnetit të popullit por një treg ambiciesh.
Kosova sot nuk është peng vetëm i një krize institucionale, është peng i një mendësie politike të përçudnuar, që ngjason më shumë me një serial mediokër sherri dhe inati sesa me një shtet funksional në zemër të Evropës. Kosova nuk gjendet përballë një vonese teknike apo një problemi procedural por përballë një emri “nonnegociable” edhe përkundër faktit që Kushtetuta zvarritet si leckë partiake, zonjës Albulena Haxhiu, e propozuar për Kryetare të Kuvendit, por që nuk gëzon konsensusin e domosdoshëm.
Një insistence e pakuptimtë që lë të bllokuar një shtet të tërë për një emër që ndan më shumë se bashkon. Një vend dikur i farkëtuar në gjak, që ka kaluar luftë, eksod, ndërhyrje ndërkombëtare, një shpallje historike të pavarësisë e që ka qëndruar përballë Serbisë dhe botës, sot po pengohet nga përleshje qesharake dhe jo justifikuese. Ky emër sot është kthyer në bllokun pengues që ndan shtetin nga normaliteti. Absurde që për një ambicie, digjet i tërë procesi demokratik, dhe këtu nuk kemi të bëjmë me një mosmarrëveshje politike por me krim moral kundër shtetit.
Kjo krizë, jo vetëm që po zhgënjen popullin e Kosovës, por po jep një imazh të turpshëm përpara ndërkombëtarëve, në një kohë kur Kosova ka nevojë të dëshmojë pjekuri, stabilitet dhe gatishmëri për integrime euroatlantike. Në vend që të tregojë gatishmëri për integrim, Kosova po dërgon një mesazh të ndryshëm jashtë vendit, se mbetet peng i politikave të vogla dhe e paaftë për qeverisje bazë, në një kohë kur Kosova duhet të demonstrojë se është gati për Brukselin dhe Uashingtonin, ajo ka humbur rrugën në oborr të vet.
Kosova sot ndodhet në një pikë kritike: ose do të shpëtojë përmes lidershipit të përgjegjshëm, ose do të vazhdojë në rrugën e vetëshkatërrimit institucional. Dhe politikanët atje duhet të kujtojnë me qartësi se shtetësia e Kosovës nuk u ndërtua në izolim. Mbijetesa dhe e ardhmja e saj varen nga partneritete të forta dhe këta partnerë po shikojnë.
Të kesh të drejtë ndonjëherë nuk mjafton. Të veprosh me përgjegjësi është ajo që ka rëndësi tani. Toni ka rëndësi. Koha ka rëndësi. Aleatët kanë rëndësi..! Mesazhi që Kosova duhet të dërgojë sot është ai i pjekurisë, seriozitetit dhe gatishmërisë dhe jo i guximit nacionalist ose kokëfortësisë taktike.
Kjo klasë politike nuk janë përfaqësues të popullit, janë sabotues të shtetit, të një shteti të fituar me shumë sakrificë e gjak por që sot politikanët i ngjiten karriges së pushtetit si gjakut një bishë!!
Nëse nesër do të shpërthente një krizë ndërkombëtare, kush do të flasë për Kosovën në OKB? Në Uashington? Në Bruksel? Nëse Amerika, aleati më jetësor i Kosovës, do të kërkonte një takim të nivelit të lartë sot, kush do të shfaqej? Kush do ta përfaqësonte këtë vend? Pa Kuvend të konstituar, pa Qeveri legjitime, pa përfaqësues politikë që ta mbrojnë në skenën ndërkombëtare.
Është një shtet i zhveshur nga dinjiteti institucional, i rrënuar nga inatet personale, dhe i poshtëruar nga një klasë politike që ka vendosur ta mbajë peng kombin për hir të posteve. Kosova sot është e e konsumuar nga lojëra të vogla pushteti dhe e turpëruar nga një elitë politike e investuar më shumë në tituj sesa në vetë shtetin.
Në mungesë të një zgjidhjeje brenda 30 ditëve, Kushtetuesja (që prej kohësh ka humbur edhe autoritetin simbolik që kishte), mund të shpallë sanksione të panjohura juridike, dhe Presidentja Osmani është e detyruar të shikojë hapin tjetër, përfshirë skenarët për zgjedhje të reja parlamentare. Kur Gjykata Kushtetuese cakton një afat 30-ditor për përfundimin e seancës konstituive, kjo nuk është vetëm një thirrje ligjore, është një alarm politik zjarri dhe alert kushtetues.
Në çdo shtet serioz, ky afat do të mjaftonte për të vendosur kompromisin dhe për të shmangur krizën. Në Kosovë, ai afat po bëhet edhe një datë tjetër për kalendarin e kolapsit dhe dështimeve.
Në çdo vend normal, dështimi për të përbërë Kuvendin do të sillte dorëheqje, ndëshkim politik dhe përgjegjësi publike.
Kosova pati një shans historik për të treguar pjekuri politike, për t’u ngritur mbi egon dhe për të ofruar stabilitet, funksionalitet dhe besim në institucione. Por ky shans u shpërdorua. E verbuar nga privilegjet e pushtetit, kjo klasë politike zgjodhi rehatinë mbi vendin, dhe kjo ishte një sakrificë e qëllimshme e Republikës në altarin e komoditetit dhe kontrollit.
Këta politikanë dëshmuan që dashuria për shtetin nuk kishte të bënte kurrë me shërbimin, por me luksin, pushtetin dhe përfitimin personal. Këta politikanë shkëmbyen shtetin për statusin dhe e ngatërruan qeverisjen me të drejtat.
Kjo nuk është krizë. Kjo nuk është një mosmarrëveshje politike. Kjo është një dështim moral. Kjo është dezertim nga shtetësia. Kjo është një vetëvrasje politike
Kosovës nuk i mungojnë udhëheqësit, i mungojnë të rriturit.