Gazetari Shkumbin Kajtazi ka akuzuar institucionet shtetërore për vonesë të qëllimshme në nxjerrjen e trupit të 33-vjeçarit që u mbyt ditë më parë në Liqenin e Ujmanit.
Sipas tij, autoritetet po shfrytëzojnë këtë tragjedi për të dërguar Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) në veri, duke keqpërdorur misionin e shpëtimit për qëllime propagandistike.
Në një postim të publikuar në rrjete sociale, Kajtazi thekson se trupi është lokalizuar tashmë nga ekipet e kërkim-shpëtimit, mirëpo këtyre ekipeve u është kërkuar të mos ndërhyjnë, me arsyetimin se të nesërmen do të angazhohet FSK-ja.
“E di që duket e pabesueshme, ashtu siç po më duket edhe mua, por shteti po e zhagit me qëllim nxjerrjen e trupit të 33-vjeçarit të mbytur në Ujman. Kjo është poshtërsi”, shkruan Kajtazi.
Ai pohon se KFOR-it i është bërë presion që t’i japë FSK-së leje për ndërhyrje, me pretendimin se bëhet fjalë për mision kërkimi. Leja është dhënë sot, dhe FSK-ja pritet të veprojë në mëngjesin e së nesërmes, rreth orës 08:00.
“E gjithë kjo po bëhet për propagandë nga një qeveri që nuk ka qenë në gjendje të vendosë qoftë edhe një tabelë ndaluese për kërcime nga ajo urë. Përkundrazi, ajo urë ishte promovuar më parë”, shton ai.
Kajtazi rikujton se FSK-ja është angazhuar edhe më parë në operacione të kërkim-shpëtimit në veri, konkretisht në vitin 2015, dhe nuk ka asgjë të re në këtë veprim. Megjithatë, sipas tij, pushteti aktual po mundohet ta paraqesë këtë si sukses për qëllime elektorale.
“Më dhemb shumë ajo që po dëgjoj nga njerëzit që janë angazhuar sinqerisht në këtë kërkim. Ata kanë dhënë gjithçka, ndërsa dikush po e përdor këtë tragjedi për propagandë. E tmerrshme,” përfundon ai.