Sindikata e RTK-së paralajmëron protestë më 6 gusht dhe bojkot të mbulimit politik

by engel

Sindikata e Punëtorëve të Radiotelevizionit të Kosovës (SPERTK) ka paralajmëruar protestë më 6 gusht, si dhe radikalizim të veprimeve sindikale, për shkak të mungesës së buxhetit për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2025.

Në një reagim publik, SPERTK njofton se institucionet përkatëse ende nuk kanë siguruar fondet e nevojshme për funksionimin e transmetuesit publik, duke e vendosur RTK-në në një situatë të rëndë financiare dhe, siç thuhet, në prag të kolapsit.

banner

“Institucionet kanë vazhduar me heshtje dhe neglizhencë, duke lënë punëtorët pa siguri dhe RTK-në pa të ardhme”, thuhet në njoftimin e Sindikatës.

Protesta e paralajmëruar më 6 gusht do të shënojë fillimin e një serie veprimesh që do të ndërmerren për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve dhe funksionimin e RTK-së si medium publik. Në të njëjtën ditë pritet të bëhet publik edhe plani i detajuar i veprimeve sindikale.

Përveç protestës, SPERTK ka paralajmëruar edhe bojkot të mbulimit të ngjarjeve politike në rast se situata financiare nuk zgjidhet.

“Për aq kohë sa transmetuesi publik injorohet dhe lihet pa mjete për funksionim, mbulimi i aktiviteteve politike do të pezullohet”, thuhet në reagim.

Sindikata gjithashtu ka paralajmëruar se do të ndërmarrë veprime ligjore ndaj institucioneve përgjegjëse, duke i akuzuar për shkelje të ligjit dhe cenim të të drejtave të punëtorëve për pagë dhe kushte pune.

Në fund, SPERTK ka bërë thirrje për solidaritet, duke ftuar organizatat sindikale, shoqërinë civile dhe punëtorët e RTK-së që të bashkohen në protestë.

“Vetëm të bashkuar mund të mbrojmë të drejtat tona dhe të garantojmë të ardhmen e transmetuesit publik”, përfundon reagimi i Sindikatës.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy