Ish-nënkryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Kadri Kryeziu, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të ambasadorëve të Gjermanisë dhe Francës në Kosovë, duke i akuzuar për mungesë profesionalizmi dhe për ndërhyrje në çështje të brendshme politike.
Në një postim në profilin e tij në Facebook, Kryeziu ka deklaruar se ambasadorët Rohde dhe Guerot “kanë rënë në provim” me komentet e tyre ndaj institucioneve kosovare, në lidhje me dislokimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në veri të vendit, gjatë operacionit për kërkimin e trupit të një mërgimtari në liqenin e Ujmanit.
Sipas tij, nuk ka asnjë dëshmi që institucionet e Kosovës kanë manipuluar fotografitë nga operacioni apo kanë mohuar rolin e KFOR-it në terren. Ai thekson se ambasadorët duhet të bazohen në deklarata zyrtare dhe jo në interpretime të individëve apo thashetheme, duke shtuar se një qasje e tillë tregon, sipas tij, “mendësi kolonizuese”.
“TIME TO GO HOME!”, shkroi Kryeziu. “Ambasadorët Rohde dhe Guerot janë bërë pjesë e mendësisë së çarshisë politike në Kosovë. Qëndrimi i tyre në detyrë nuk i bën nder as Gjermanisë dhe as Francës.”
Kryeziu gjithashtu ka rikujtuar se në fillimet e mandatit të tyre, të dy ambasadorët janë përfolur për afërsi me partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje, dhe sipas tij, tash janë kthyer në aktorë të skenës politike, duke artikuluar opinione të ndikuara nga ambienti mediatik dhe thashethemet.
Derisa reagimi i tij ka ngjallur reagime të ndryshme në opinionin publik, deri më tani nuk kemi ende ndonjë përgjigje zyrtare nga ambasadat e Gjermanisë dhe Francës lidhur me deklaratat e Kryeziut.