Sunderland ka bërë një lëvizje të bujshme në afatin kalimtar veror, duke zyrtarizuar transferimin e mesfushorit të njohur Granit Xhaka nga Bayer Leverkusen. Futbollisti shqiptar me pasaportë zvicerane ka firmosur kontratë trevjeçare me klubin anglez, që synon kthimin në majat e futbollit britanik.
Pas një karriere të gjatë në elitën e futbollit evropian, Xhaka i bashkohet Sunderland-it si një përforcim me peshë, duke sjellë përvojë, lidership dhe cilësi në mesfushë.
Xhaka ka një të kaluar të ndritur në Premier League, ku gjatë shtatë viteve me Arsenalin zhvilloi 225 ndeshje, fitoi dy FA Cup dhe mbajti shiritin e kapitenit te “Topçinjtë”. Në vitin 2023 ai u transferua te Bayer Leverkusen, ku u bë një nga liderët e skuadrës së Xabi Alonso-s. Nën drejtimin e trajnerit spanjoll, Xhaka ndihmoi klubin gjerman të shkruajë histori me një sezon të pamposhtur, duke fituar Bundesligën për herë të parë dhe DFB-Pokal-in për herë të dytë.
Performanca e tij gjatë sezonit 2023/24 u vlerësua edhe në nivel individual, duke e renditur në vendin e 16-të në garën për Topin e Artë 2024.
Në nivel ndërkombëtar, Xhaka është një nga figurat më të rëndësishme të kombëtares së Zvicrës, të cilën e udhëheq si kapiten që nga viti 2020. Me 137 paraqitje, ai është lojtari më me shumë ndeshje në historinë e Zvicrës.
Ky transferim përbën një sinjal të qartë nga Sunderland për ambiciet e rikthimit të madh. Ndërsa për Xhakën, është një sfidë e re në një kampionat që e njeh mirë dhe një mundësi për të udhëhequr një projekt të ri me peshën e përvojës së tij.
“This isn’t just a Club, this is Sunderland. Welcome back to the @PremierLeague, Granit Xhaka!” – shkruan klubi në rrjete sociale, duke e shoqëruar njoftimin me një video prezantimi emocionuese.