Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe ish-kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, ka mohuar pretendimet se një fotografi e publikuar së fundmi e tregon atë në veri të vendit bashkë me pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në vitin 2015.
Në një reagim publik, Bahtiri sqaron se fotografia është bërë në fshatin Lisicë, në jug të Mitrovicës, në kohën kur ishte ngritur shtabi emergjent për kërkimin e trupit të të ndjerit Sead Alushi.
“Unë me FSK-në në jug – shpifësit interpretojnë se kam qenë në veri”, ka shkruar Bahtiri në reagimin e tij, duke theksuar se ndjen obligim moral dhe njerëzor të sqarojë të vërtetën.
Ai ftoi publikisht çdo person që ka dyshime për vendndodhjen e fotografisë, të vizitojë bashkë me të vendin ku ishte ngritur shtabi në atë kohë, për të vërtetuar saktësinë e deklaratës së tij.
Bahtiri kritikoi ashpër mediat dhe individët që, sipas tij, po shpërndajnë dezinformata me qëllim përfitimi politik apo diskreditimi personal.