Publicisti shqiptar Ben Andoni ka komentuar zhvillimet e fundit politike në Kosovë, duke vënë theksin te dominimi i interesave partiake në vend të parimeve demokratike dhe dinjitetit individual.
Në një intervistë në A2CNN, Andoni ka folur për ngjarjet rreth kandidaturës së Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, të cilën Lëvizja Vetëvendosje këmbënguli ta shtynte përpara me çdo kusht – madje duke kërkuar që edhe votimi të bëhej i fshehtë, për të rritur gjasat e kalimit të saj.
“Kur nuk të duan për 50 seanca rresht, për tagrin dhe dinjitetin tënd, bën një tërheqje”, tha Andoni, duke komentuar këmbënguljen e Haxhiut për të marrë postin.
“Përballë ke njerëz që nuk të votojnë. Nuk të duan. Kaq e thjeshtë.”
Andoni e cilësoi Albulena Haxhiun si një “kamikaze politike”, duke sugjeruar se ajo është përdorur nga partia për të shtyrë një axhendë, edhe në kurriz të reputacionit të saj personal.
“Duke mos pasur numrat, është zgjedhur dikush që ka pranuar të shkojë deri në fund, duke sakrifikuar edhe prestigjin e saj. Gjatë mandatit të saj si ministre, janë prishur edhe dëshmitë për Deharin e ndjerë”, tha ai, duke e akuzuar Haxhiun për dështime serioze në menaxhimin e rasteve të ndjeshme.
Sipas Andonit, diskursi politik dhe profesional i Haxhiut ka qenë gjithmonë problematik, dhe insistimi për ta vendosur në krye të Kuvendit nuk është reflektim i vullnetit qytetar, por i interesit partiak.
Ky reagim i fortë vjen në një kohë tensionesh të mëdha politike në Kosovë, ku ngërçi institucional dhe përplasjet brenda e jashtë Lëvizjes Vetëvendosje vazhdojnë të dominojnë skenën politike.