Microsoft ka publikuar rezultatet vjetore financiare, duke tejkaluar pritshmëritë e analistëve dhe duke dhënë sinjale të qarta për dominimin e saj në sektorin cloud dhe inteligjencën artificiale. Kompania bëri të ditur se të ardhurat vjetore nga platforma Azure kanë arritur në mbi 75 miliardë dollarë, një rritje mbresëlënëse prej 34% krahasuar me vitin e kaluar. Kjo është hera e parë që Microsoft publikon shifra të detajuara mbi të ardhurat e Azure, duke nënvizuar rëndësinë strategjike që kjo platformë ka në zhvillimet e reja teknologjike të kompanisë.
Në të njëjtën kohë, fitimi neto i Microsoft për tremujorin e fundit u rrit me 24%, duke arritur në 34.3 miliardë dollarë, ose 3.65 dollarë për aksion – një rezultat që kaloi parashikimet e tregut. Të ardhurat totale për periudhën prill-qershor ishin 76.4 miliardë dollarë, që përfaqëson një rritje prej 18% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Microsoft aktualisht operon me më shumë se 400 qendra të dhënash në gjashtë kontinente dhe ka rritur ndjeshëm investimet për të përballuar kërkesën në rritje për shërbime cloud dhe AI. Megjithatë, kompania mbetet ende pas liderit të tregut, Amazon Web Services, e cila raportoi të ardhura vjetore prej 107.6 miliardë dollarësh.
Për të menaxhuar kostot e larta të infrastrukturës, Microsoft ka reduktuar këtë vit stafin me rreth 15 mijë punonjës, ndonëse numri i përgjithshëm i të punësuarve mbetet në 228 mijë. Reduktimet janë parë pozitivisht nga investitorët, sidomos në kontekstin e 30 miliardë dollarëve të planifikuar për investime vetëm për tremujorin korrik-shtator.
Në raportin e saj vjetor, kompania paralajmëron gjithashtu për faktorë të jashtëm që mund të ndikojnë operacionet globale, si tarifat amerikane dhe pasiguritë gjeopolitike, të cilat mund të prekin zinxhirët e furnizimit për teknologjitë cloud dhe AI.