Qëndrim Kryeziu, pronar i kompanisë “ISP Broadcast”, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit që prekin bizneset në Kosovë, sidomos për çështjen e daljes së detyruar të tyre në tregun e lirë të energjisë. Ai ka drejtuar një thirrje publike ndaj kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, duke kërkuar që t’u krijohen mundësi bizneseve kosovare për të operuar në Shqipëri, në rast se qeveria e Kosovës nuk ndërhyn.
“Unë i bëj thirrje publike Edi Ramës që, nëse kryeministri Kurti vazhdon me këto politika, të na mundësojë dhe të na krijojë një hapësirë për t’i dërguar bizneset tona në Shqipëri”, deklaroi Kryeziu.
Kjo deklaratë vjen në prag të përfundimit të afatit të furnizimit me energji elektrike përmes KEK-ut, si një zgjidhje e përkohshme për bizneset e mëdha. Sipas vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), duke filluar nga 31 korriku, të gjitha bizneset që kanë më shumë se 50 punëtorë ose qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro, e që nuk kanë kontratë me ndonjë furnizues të licencuar, do të mbesin pa energji.
Kryeziu paralajmëroi se në mungesë të mbështetjes institucionale, shumë biznese nuk do të kenë mundësi të mbijetojnë në Kosovë, duke kërkuar alternativa për vazhdimin e aktivitetit të tyre ekonomik jashtë vendit.
Përndryshe, Kryeziu njihet si një mbështetës i zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, dhe ka qenë aktiv edhe në fushata, ku publikisht ka ftuar qytetarët e Podujevës të votojnë Shpejtim Bulliqin për kryetar komune.