Katër nënkryetarë të Bashkisë së Tiranës janë shkarkuar zyrtarisht nga detyra. Bëhet fjalë për Frida Pashakon, Andi Seferin, Keti Luarasin dhe Jonida Halilin, të cilët janë liruar nga funksionet e tyre.
Në vend të tyre, janë emëruar Ilir Mengra, Blendi Sula, Gentian Keri dhe Vasilika Vjero si nënkryetarët e rinj të bashkisë.
Ndërkohë, Anuela Ristani vazhdon të ushtrojë detyrën si kryetare e komanduar e Bashkisë së Tiranës, në mungesë të kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili ndodhet në burg.
Sipas burimeve, ndryshimet vijnë në kuadër të një ristrukturimi më të gjerë, i koordinuar pas zhvillimeve të fundit në drejtimin e bashkisë. Kryeministri Edi Rama ka mbajtur disa takime me stafin e Bashkisë së Tiranës, duke dhënë udhëzime për vijimin e punës institucionale.
Po ashtu, Rama ka propozuar rritjen e numrit të nënkryetarëve nga katër në pesë, për të përballuar më mirë ngarkesën e punës dhe për të siguruar një funksionim më efikas të administratës lokale në kryeqytet.