Ekspertja e njohur e lirisë së medias, Flutura Kusari, ka reaguar me zhgënjim të thellë pas vendimit të Prokurorisë së Apelit që refuzoi ankesën e saj ndaj mosveprimit institucional në një rast të ngacmimit të vazhdueshëm dhe obsesiv, i cili po zgjat prej më shumë se tre vjetësh.
Në një postim të ashpër në Facebook, Kusari bëri të ditur se Apeli, sikurse më parë Gjykata Themelore, ka vlerësuar se ngacmimi me përmbajtje vulgare, seksiste dhe kërcënuese që i është bërë nga Mentor Llugaliu – një mbështetës i Lëvizjes Vetëvendosje – nuk përbën vepër penale.
Për më tepër, Kusari zbulon se aktvendimi i Apelit nuk përmban asnjë arsyetim serioz juridik, duke përfshirë vetëm disa rreshta “copy-paste” nga vendimi paraprak dhe një fjali fyese për inteligjencën e qytetarëve:
“Nuk jemi të obliguar t’i adresojmë të gjitha pretendimet e ankesës.”
Ngacmimi ndaj saj, sipas dëshmisë së Kusarit, përfshin gjuhë tejet të rëndë dhe denigruese, me fjalë si:
“Pidhi i mickojes”,
“Nonën pa ta qi mos e lasha”,
“E bullizuara ime e vitit”,
“Vallahin… pa ja kallxu venin Mickojes se kisha la…”,
dhe të tjera shprehje që nuk lënë vend për interpretime: ky është ngacmim i pastër, i qëllimshëm dhe kërcënues, për të cilin Prokuroria dhe sistemi gjyqësor po mbyllin sytë.
Flutura Kusari theksoi se kjo neglizhencë institucionale jo vetëm që po e lë të pambrojtur, por po e trimëron ngacmuesin, i cili, sipas saj, ka një motiv personal dhe politik: dështimin për të marrë një post publik në bordin e RTK-së dhe urrejtjen ndaj aktivizmit të saj.
“Po ndjej ankth, frikë dhe stres të madh. Kam frikë se kjo do të eskalojë. E vetmja gjë që më ka mbetur është të vazhdoj të dokumentoj postimet dhe të shpresoj që një ditë dikush në sistemin e drejtësisë do të më mbrojë,” shkruan ajo.
Kjo ngjarje hedh një dritë të zymtë mbi gjendjen e sistemit të drejtësisë në Kosovë, ku edhe rastet e qarta të ngacmimeve të rënda ndaj grave – veçanërisht kur ato prekin figura publike – trajtohen me neglizhencë, në mënyrë të paarsyeshme dhe në kundërshtim me standardet e drejtësisë dhe të dinjitetit njerëzor.
Ky rast nuk është vetëm personal – është një test për shtetin ligjor. Deri tani, shteti po dështon.