Gjykata Themelore në Prishtinë pritet të shpallë sot aktgjykimin ndaj Millosh Pleskoviqit, i njohur me nofkën “Miki”, i akuzuar për krime lufte të kryera gjatë luftës në Kosovë, konkretisht në qytetin e Prizrenit.
Sipas aktakuzës, Pleskoviq në bashkëkryerje akuzohet për vrasjen e tre civilëve shqiptarë: dy anëtarëve të familjes Daçaj dhe Fatmir Bojaxhiut, në afërsi të lagjes “Hoqa Mahalla”, më 1 shtator 1998.
Në seancën e janarit 2025, Pleskoviq u deklarua i pafajshëm, ndërsa dëshmitarët dhanë rrëfimet e tyre për ngjarjen tragjike. Sipas dëshmive dhe aktakuzës, viktimat kishin shkuar në mal për të mbledhur dru për ngrohje, kur u ballafaquan me një grup prej 7-8 personash të armatosur, të nacionalitetit serb, me uniforma policore dhe ushtarake.
Në mesin e atij grupi, dëshmitarët pretendojnë se panë edhe të pandehurin Pleskoviq, i cili dyshohet se hapi zjarr me armë automatike drejt tyre. Si pasojë, B.D., R.D. dhe F.B. u vranë në vend, ndërsa tre të tjerë – Xhenger Cana, Fevzi Cana dhe Bashkim Kastrati – arritën të shpëtojnë duke u larguar në drejtim të shtëpive të tyre.
Familjarët arritën të marrin trupat e pajetë pas një jave, vetëm për t’i gjetur të gjymtuar – një pa këmbë dhe një tjetër pa kokë.
Millosh Pleskoviq ndodhet në paraburgim që nga 30 shtatori 2023, kur u arrestua në fshatin Uglar, ku po qëndronte pas ikjes nga Prizreni.
Shpallja e aktgjykimit pritet me interes të madh nga publiku dhe familjet e viktimave, duke qenë një nga rastet e rralla ku një person akuzohet konkretisht për krime të kryera ndaj civilëve gjatë luftës në Kosovë.