ZRRE paralajmëron ankesë ndaj vendimit të Gjykatës Komerciale për pezullimin e tregut të lirë të energjisë

by engel

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka njoftuar se do të parashtrojë ankesë ndaj vendimit të Gjykatës Komerciale, e cila pezulloi zbatimin e vendimit për kalimin e bizneseve në tregun e liberalizuar të energjisë elektrike.

Kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, sqaroi se vendimi i gjykatës nuk është përfundimtar dhe se ekziston afat prej 15 ditësh për të paraqitur ankesë. “Ky vendim nuk është shfuqizim, por një masë e përkohshme që nuk mund të ekzekutohet menjëherë”, tha ai.

banner

Më 30 korrik, Gjykata Komerciale e Kosovës pezulloi përkohësisht vendimin e ZRRE-së të datës 5 prill 2024, i cili kishte hyrë në fuqi më 1 qershor dhe që detyronte të gjitha kompanitë me mbi 50 punëtorë ose qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro të kalojnë në tregun e hapur të energjisë. Pezullimi do të qëndrojë në fuqi derisa të merret një vendim përfundimtar gjyqësor.

Sipas gjykatës, ZRRE ka vepruar në kundërshtim me ligjin duke detyruar konsumatorët të kalojnë në treg të lirë brenda një periudhe shumë të shkurtër dhe pa ofruar informacion të mjaftueshëm. Në vendim thuhet se njoftimi i 12 marsit nga ZRRE është “i kundërligjshëm”, pasi nuk u ofroi bizneseve arsyetim të qartë ligjor, këshillë juridike dhe informacion të nevojshëm për një tranzicion të tillë.

Gjykata vlerësoi se ZRRE është bazuar në “interpretim të pasaktë të dispozitave ligjore” dhe ka trajtuar në mënyrë të padrejtë konsumatorët që përmbushin vetëm një nga kriteret ligjore për të dalë në tregun e lirë. Për këtë arsye, u anulua edhe pika 4 e vendimit të ZRRE-së, që i jepte konsumatorëve të drejtën e furnizimit në tregun konkurrues.

Ndërkohë, Oda Ekonomike e Kosovës përshëndeti vendimin e gjykatës, duke e quajtur një hap të drejtë dhe në përputhje me shqetësimet e komunitetit të biznesit. Në një reagim publik, Oda kërkoi nga ZRRE anulimin e vendimit të 5 prillit 2024, duke theksuar se mosrespektimi i vendimeve të gjykatës përbën shkelje të rendit juridik dhe sjell përgjegjësi penale.

Sipas rregullores aktuale, kompanitë që nuk kanë lidhur kontratë me një furnizues të licencuar, janë furnizuar përkohësisht nga KEK për një periudhë 60-ditore që përfundon më 31 korrik. Pas kësaj date, në mungesë të një marrëveshjeje me një furnizues, bizneset rrezikojnë të mbesin pa energji elektrike – përveç nëse vendimi i gjykatës qëndron në fuqi ose ZRRE vepron ndryshe.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy