Mbi 3,600 lindje në QKUK në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025

by informim peje

Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025, në Klinikën Obstetrike-Gjinekologjike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) kanë lindur gjithsej 3,658 foshnje, prej të cilave 1,541 lindje janë realizuar me ndërhyrje kirurgjikale (operacion cezarian), njofton Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK).

Gjatë kësaj periudhe janë trajtuar gjithsej 13,789 raste, ndërsa janë kryer edhe 2,150 ndërhyrje gjinekologjike, përfshirë trajtime të patologjive të rënda dhe tumoreve të ndërlikuara.

banner

Në njoftimin e ShSKUK-së thuhet se Klinika ka ofruar shërbime në kushte të mbingarkesës së vazhdueshme, duke ndjekur standarde të qarta klinike dhe etike. Pacientet trajtohen përmes një protokolli të strukturuar që nis nga triazhimi në Ambulancën 24-orëshe, deri te monitorimi pas lindjes në Njësinë e Kujdesit Intensiv.

Në raste që kërkojnë lindje cezariane, ndërhyrja realizohet nga një ekip i përbërë nga obstetër-gjinekologë, anesteziologë dhe infermierë të specializuar, ndërsa foshnjat që kërkojnë kujdes të veçantë trajtohen nga Neonatologjia.

Në lidhje me komentet dhe shqetësimet e ngritura kohët e fundit në media dhe rrjete sociale, ShSKUK thekson se nuk ka pranuar asnjë ankesë zyrtare në adresë të Klinikës së Gjinekologjisë apo në Komisionin për Shqyrtimin e Ankesave të Pacientëve në QKUK.

“Respektojmë të drejtën e çdo pacienteje për të shprehur shqetësimet e saj dhe inkurajojmë që çdo pakënaqësi të paraqitet përmes një ankese zyrtare,” thuhet në njoftim.

Duke e dokumentuar ankesën, sipas ShSKUK-së, bëhet e mundur identifikimi i problemeve, vendosja e përgjegjësisë dhe përmirësimi i cilësisë së shërbimeve.

“Çdo lëshim eventual që bie ndesh me kodin etik dhe profesional do të ndëshkohet sipas legjislacionit në fuqi,” përfundon njoftimi, duke garantuar transparencë, përgjegjësi dhe vullnet për përmirësim të vazhdueshëm në ofrimin e kujdesit shëndetësor.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy