Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, mori pjesë në aktivitetin e organizuar nga Ambasada Zvicerane në Kosovë, me rastin e Ditës Kombëtare të Zvicrës.
Në fjalën e saj, Osmani theksoi se miqësia ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës është ndërtuar mbi vlera të përbashkëta dhe solidaritet të sinqertë, sidomos gjatë periudhave të vështira.
“Miqësitë më të forta janë ato që kanë lindur në ditët më të vështira, të formësuara nga solidariteti, besimi dhe vlerat e përbashkëta. Miqësia ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës është pikërisht e tillë,” tha ajo.
Presidentja shprehu kënaqësinë për pjesëmarrjen në këtë ngjarje të veçantë, duke e cilësuar atë si dëshmi të marrëdhënieve të ngushta mes dy popujve.
Ajo theksoi gjithashtu lidhjet e forta njerëzore mes Kosovës dhe Zvicrës, duke përmendur kontributin e çmuar të diasporës kosovare që jeton dhe vepron në Zvicër.
“Populli i Kosovës dhe ai i Zvicrës janë të lidhur ngushtë ndërmjet vete. Roli i diasporës kosovare në Zvicër është i jashtëzakonshëm dhe i pazëvendësueshëm,” u shpreh Osmani.