Policia e Kosovës ka nisur hetime lidhur me pretendimet për prezencë të telave elektrikë të zhytur në Liqenin e Ujmanit, të cilët u raportua se mund të paraqesin rrezik për jetën e qytetarëve.
Deklarimet janë bërë më 30 korrik nga kryetari i Shoqatës së Peshkatarëve të Kosovës, i cili përmes mediave tha se gjatë një aksioni për largimin e varkave pa leje kishte vërejtur tela të zhytur në ujë, për të cilët pretendoi se mund të jenë të rrezikshëm nëse aktivizohen.
Pas këtyre pretendimeve, Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria Rajonale në Mitrovicën e Veriut, e autorizuar nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës, ka intervistuar personin në fjalë në cilësinë e dëshmitarit. Policia gjithashtu ka pranuar edhe një video si provë lidhur me rastin, transmeton Klankosova.tv.
Njësitë përkatëse të Kontrollit Kufitar Ujor kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe pas verifikimeve në terren është konstatuar se telat nuk ishin të lidhur me ndonjë burim energjie elektrike dhe si të tillë nuk paraqesin rrezik.
Sipas Policisë, edhe më herët nuk është raportuar ndonjë rast i ngjashëm që lidhet me rrezikshmëri nga tela elektrikë në këtë zonë.
Prokuroria ka konkluduar se në rastin në fjalë nuk ekzistojnë elemente të ndonjë vepre penale dhe se nuk ka arsye për ndonjë procedurë të mëtejme.
Policia e Kosovës apelon qytetarët që të mos ndihen të shqetësuar dhe thekson se çdo informacion apo rast i dyshuar do të trajtohet me seriozitetin maksimal. Po ashtu, patrullimet në Liqenin e Ujmanit do të vazhdojnë në mënyrë të rregullt për të garantuar sigurinë publike.