Shërbimi i pagesave digjitale Apple Pay ka mbërritur zyrtarisht në Kosovë, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të sistemit financiar.
Aktualisht, vetëm klientët e Bankës NLB mund ta përdorin këtë shërbim, por së shpejti pritet që edhe dy banka të tjera ta aktivizojnë atë.
Apple Pay u bë funksional në fund të korrikut, falë bashkëpunimit ndërmjet Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Presidencës, sektorit bankar, Odës Ekonomike Amerikane dhe Ambasadës së SHBA-së në Kosovë. Ky zhvillim u mirëprit si një nxitje për përfshirjen financiare dhe digjitalizimin e vendit.
Përdoruesit e iPhone-it dhe pajisjeve të tjera Apple mund të shtojnë kartelat bankare në aplikacionin Wallet dhe të kryejnë pagesa pa kontakt në dyqane, restorante, online apo në aplikacione.
Në Kosovë, Apple Pay mbështet kartelat VISA dhe MasterCard.
NLB Bank është e vetmja që e ofron aktualisht Apple Pay, por edhe dy banka të tjera janë në fazë të avancuar të përgatitjeve. BQK nuk ka publikuar emrat për shkak të konkurrencës komerciale, pwrderisa 11 banka në total nw Kosovw kanë potencialin për ta ofruar shërbimin, pas përmbushjes së kërkesave teknike.
Apple Pay është tashmë i qasshëm edhe në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje-Hercegovinë. Mal i Zi ishte vendi i parë në rajon që e lansoi këtë shërbim në janar 2020, ndërsa Serbia e aktivizoi më vonë gjatë po atij viti.
Ambasada e SHBA-së në Kosovë e cilësoi këtë zhvillim si një hap drejt rritjes ekonomike dhe tërheqjes së investimeve amerikane. Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, tha se Apple Pay rrit besueshmërinë ndaj bankave dhe ndihmon në reduktimin e keqpërdorimeve me kartela fizike.
Eksperti i rrjeteve sociale, Valon Canhasi, theksoi se përveç ofrimit teknik, bankat duhet të investojnë në fushata vetëdijesuese për përdorimin e sigurt dhe praktik të Apple Pay. Ai shtoi se, ndonëse paraja e gatshme ende dominon, të rinjtë po e përqafojnë gjithnjë e më shumë pagesën digjitale.
Mbi 95% e qytetarëve në Kosovë kanë qasje në telefona, 99% kanë qasje në internet. Kosova renditet e dyta në rajon për blerje online, pas Kroacisë