Kandidati për deputet nga radhët e LDK-së, Berat Rukiqi, ka reaguar me tone kritike ndaj deklaratës së ministrit të Financave, Hekuran Murati, i cili kishte përdorur shembullin e konsumit të kafes për të ilustruar rritjen e fuqisë blerëse në Kosovë.
Rukiqi e ka cilësuar këtë krahasim si të pavend dhe jorealist, duke theksuar se kafja nuk është produkt i domosdoshëm dhe nuk mund të përdoret si indikator për mirëqenien ekonomike të qytetarëve.
“Me këtë logjikë, a i bie që tash në vend të 100 bukëve po blejmë veç 50? Apo në vend të 100 litrave qumësht, po blejmë vetëm 50 – domethënë po ushqehemi më pak dhe nuk po i ushqejmë mjaftueshëm fëmijët?”
Sipas tij, rritja e qarkullimit të bizneseve gjatë katër viteve të fundit nuk është pasqyrë e përmirësimit ekonomik, por rezultat i drejtpërdrejtë i inflacionit që ka goditur vendin.
Postimi i plotë:
“Nuk mujta pa reagu. Edhe kesha shumë. Deputeti i paska marrë shembuj kafet (kafja nuk është produkt i domosdoshëm), për me e shpjegu fuqinë blerëse.
Një pyetje e kam për deputetin.
Me këtë ‘logjikë’: a i bjen që tash në vend të 100 bukëve, po i blejmë veç 50 (po ushqehemi më pak), ose në vend të 100 litrave qumësht, po i blejmë vetëm 50 litra qumësht (nuk po i ushqejmë mjaftushëm fëmijët)?
Rritja e qarkullimit të bizneseve në 4 vitet e fundit, ka vetëm një shpjegim: INFLACIONI.”