Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona në komunën e Malishevës, të cilët dyshohen për përfshirje në veprën penale të trafikimit me njerëz, përkatësisht në ofrimin e shërbimeve seksuale përmes një viktime të trafikimit.
Ngjarja ka ndodhur më 23 korrik 2025, rreth orës 17:00. Sipas raportit zyrtar të Policisë, pas arrestimit dhe intervistimit nga organet kompetente, ndaj të dyshuarve është lëshuar vendim për masën e ndalimit, me urdhër të prokurorit të rastit.
“Malishevë 23.07.2025, ora 17:00 – Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi dyshohet se janë përfshirë në trafikim me njerëz dhe shfrytëzim seksual të viktimës. Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.
Hetimet për këtë rast janë duke vazhduar, ndërsa autoritetet nuk kanë bërë të ditur detaje të tjera rreth identitetit të të dyshuarve apo gjendjes së viktimës, për shkak të ndjeshmërisë së rastit.