Etrit Berisha mund të mos jetë më në skenën e madhe të futbollit europian, por portieri shqiptar vazhdon të shkëlqejë në mënyrën e tij.
Pas paraqitjeve të jashtëzakonshme me klubin suedez Häcken, gardiani 36-vjeçar ka rinovuar kontratën deri në vitin 2027, duke siguruar edhe dy sezone të tjera në elitën e futbollit nordik.
Ky vendim i klubit vjen vetëm dy ditë pas performancës së jashtëzakonshme të Berishës në Ligën e Europës, ku ai priti një penallti dhe realizoi një tjetër, duke ndihmuar Häcken të eliminojë gjigantin belg Anderlecht – ekip i drejtuar nga trajneri shqiptar Besnik Hasi.
Berisha, i lindur në Prishtinë, ka qenë vendimtar edhe në maj të këtij viti, kur i dha ekipit të tij Kupën e Suedisë. Në finalen ndaj Malmös, që përfundoi pa gola, ai priti dy penallti dhe shënoi një tjetër, duke u shpallur hero i ndeshjes.
Dikur pjesë e Atalantës dhe Torinos në Serie A, ku përfitonte afro 1 milion euro në sezon, Berisha tani luan në një ligë ku paga mesatare është rreth 4 mijë euro në muaj. Megjithatë, vlera e tij në fushë mbetet e padiskutueshme.
Në një moshë ku shumica e futbollistëve mendojnë për pension, Berisha vazhdon të jetë lider dhe garant për skuadrën e tij, duke dëshmuar se lavdia nuk matet vetëm me para, por me ndikimin në fushë dhe shpirtin garues.