Pas një dekade të jashtëzakonshme me Tottenham Hotspur, sulmuesi koreano-jugor Heung-min Son ka njoftuar largimin nga klubi londinez. Në një konferencë emocionale të mbajtur në vendlindjen e tij, Koreja e Jugut – gjatë turneut parasezonal të ekipit – Son shpalli fundin e aventurës së tij me Spurs.
“Ka qenë vendimi më i vështirë i karrierës sime. Kam kujtime të pabesueshme me këtë klub,” u shpreh Son mes lotësh. “Por ndjej se ka ardhur koha për një sfidë të re, një ambient të ri. Pas dhjetë vitesh, dua të përjetoj diçka tjetër. Kam ardhur në Londër si një djalosh 23-vjeçar, tani po largohem si burrë – një burrë krenar.”
Gjatë kohës së tij në Tottenham, Son ka zhvilluar 454 ndeshje dhe ka shënuar 173 gola, duke ndihmuar klubin të fitojë UEFA Europa League sezonin e kaluar – trofeu i tij i parë me fanellën e Spurs.
“Fitorja në Europë më bëri të ndihesha sikur e kisha arritur majën. Kam reflektuar shumë nëse dua ta jetoj futbollin në një ambient tjetër, dhe pas shumë mendimesh, vendosa të largohem,” tha ai.
Në krah të tij në konferencë ishte edhe trajneri i ri i Tottenhamit, Thomas Frank, i cili e mori drejtimin e ekipit këtë verë.
“Do të doja shumë të punoja me një njeri dhe lojtar si Son. Ai është një legjendë e vërtetë e këtij klubi, një nga më të mirët që ka luajtur ndonjëherë në Premier League. Nuk është kurrë e lehtë të gjesh momentin e duhur për lamtumirë, por ky rast është ndoshta mënyra më e bukur për ta përmbyllur kapitullin e tij te Spurs,” u shpreh Frank.