Arbër Ismajli, kandidati për kryetar të Komunës së Gjilanit nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka akuzuar pushtetin aktual për refuzimin e një projekti në vlerë prej 700 mijë euro që kishte për qëllim ndërtimin e një qendre moderne për trajtimin e qenve endacakë në qytet.
Sipas Ismajlit, projekti është iniciuar nga këshilltarët e LDK-së dhe ishte rezultat i një bashkëpunimi me një investitor zvicerano-kosovar, duke parashikuar kosto minimale për komunën. “Fatkeqësisht, pushteti aktual e ka refuzuar bashkëpunimin dhe e ka lënë projektin në harresë. Ne jemi të përkushtuar ta realizojmë me transparencë dhe profesionalizëm, nëse na jepet besimi i qytetarëve,” ka deklaruar ai në një postim në Facebook.
Ndërkohë, kryetari aktual Alban Hyseni ka bërë të ditur se në përfundim të mandatit të tij ka nisur zbatimin e një programi për trajtimin e qenve endacakë përmes një kontrate 3-vjeçare me vlerë 300 mijë euro. Programi përfshin kastrimin dhe sterilizimin e qenve, duke synuar një zgjidhje afatgjatë të këtij problemi për Gjilanin.