Kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, ka bërë thirrje për një reflektim të thellë në politikën kosovare, duke theksuar se vendi po kalon një periudhë stagnimi dhe polarizimi të thellë politik.
Përmes një postimi në Facebook, Pacolli ka kritikuar qasjen e partive politike, duke thënë se ato janë më shumë të fokusuara në luftë të brendshme për pushtet sesa në ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët për vendin.
“Kemi humbur drejtimin strategjik. Partitë, si në pushtet ashtu edhe në opozitë, sillen sikur janë në një fushatë të përhershme. Dialogu me Serbinë ka mbetur në vendnumëro, ndërsa procesi i integrimit evropian duket gjithnjë e më i largët. Qytetarët janë të zhgënjyer nga premtimet që nuk mbahen,” ka shkruar ai.
Pacolli ka theksuar nevojën për llogaridhënie dhe transparencë në institucione, duke kritikuar arrogancën politike dhe ndërhyrjet në sistemin e drejtësisë. Ai ka përmendur edhe korrupsionin dhe largimin e të rinjve si tregues të mungesës së shpresës në vend.
“Institucionet nuk funksionojnë lirshëm, korrupsioni është i pranishëm, dhe të rinjtë po largohen. Kosova nuk e meriton këtë gjendje. Ajo ka nevojë për politikë që i shërben qytetarit dhe për unitet në çështje madhore kombëtare,” ka përfunduar ai, duke theksuar se “më shumë se kurrë, na duhet një veprim politik që dëgjon, reflekton dhe vepron me përgjegjësi.”