Rruga Klinë–Gjakovë, një ndër projektet më të diskutuara dhe të shumëpritura të infrastrukturës rrugore në Kosovë, po shkon drejt përfundimit. Pas vonesave të gjata dhe shqetësimeve të vazhdueshme nga qytetarët, punimet në terren janë intensifikuar ndjeshëm, veçanërisht në segmentet Volljakë–Mrasor dhe Meqe–Bec.
Kompanitë përgjegjëse për punimet, Benita Company dhe Mirusha, kanë rritur kapacitetet në terren për të përshpejtuar përfundimin e këtij projekti. Aktualisht, në disa pjesë të këtyre segmenteve ka nisur vendosja e shtresës së parë të asfaltit, ndërsa pjesë të tjera janë në përgatitje për fazën finale të asfaltimit.
Kjo rrugë është konsideruar prej kohësh si një arterie kyçe që lidh rajonet e Dukagjinit, duke ndikuar drejtpërdrejt në lehtësimin e qarkullimit dhe zhvillimin ekonomik lokal. Qytetarët e zonës kanë shprehur lehtësim të madh për progresin e fundit, duke e parë fundin e një rruge që për shumë vite ka qenë burim vështirësish në qarkullim.
Zyrtarët lokalë dhe inxhinierët e projektit pritet të dalin së shpejti me një afat të qartë për përfundimin e plotë të punimeve, ndërsa qytetarët mbeten me shpresë se kjo rrugë më në fund do të vihet në funksion të plotë brenda këtij viti.