Rritet numri i rasteve me kancer në Kosovë — shqetësim për grupmoshat nën 50 vjeç

by engel

Gjatë vitit 2025, në Kosovë janë regjistruar rreth 1,100 raste të reja me kancer, me një rritje të dukshme të incidencës tek personat nën moshën 50 vjeç. Kanceri i gjirit vazhdon të jetë më i përhapuri tek femrat, me 230 raste të reja, ndërsa tek meshkujt dominon kanceri i mushkërive.

Ilir Kurtishi, drejtor i Klinikës së Onkologjisë në QKUK, në një intervistë për Ekonomia Online, tha se grupmoshat më të prekura mbeten ato 50–60 vjeç, por paralajmëroi për një tendencë shqetësuese të shtimit të rasteve edhe tek të rinjtë.

banner

“Kemi vërejtur një rritje të incidencës tek personat nën 50 vjeç, veçanërisht në dy-tre vitet e fundit. Kjo nënkupton nevojën për kujdes më të madh dhe kontrolle më të shpeshta, sidomos për moshat 30–50 vjeç,” tha Kurtishi.

Sipas të dhënave të klinikës, përveç kancerit të gjirit dhe mushkërive, rastet më të shpeshta përfshijnë edhe tumoret e organeve gjenitale, duke formuar grupin më të madh të sëmundjeve malinje në vend.

Rastet pediatrike, sipas Kurtishit, trajtohen në Klinikën e Pediatrisë, ndërsa Klinika e Onkologjisë fokusohet në trajtimin e të rriturve dhe tumoreve solide. Regjistrimi i rasteve bëhet në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, ku grumbullohen të dhënat për analizë dhe raportim.

Kurtishi theksoi rëndësinë e zbulimit të hershëm, duke paralajmëruar kundër neglizhimit të simptomave dhe vetëdiagnostikimit.

“Kanceri është i rëndë në çdo formë, përveç kur kapet herët. Edhe pse trajtimet janë të avancuara, sëmundja në fazat e avancuara mbetet sfidë. Vizitat te mjeku duhet të jenë të rregullta, dhe çdo ndryshim në trup duhet të merret seriozisht,” tha ai.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy