Një peshkaqen rreth 3 metra i gjatë është shfaqur në ujërat pranë Shëngjinit, duke shkaktuar befasi tek peshkatarët lokalë. Ngjarja ka ndodhur në zonën mes Rrjollit dhe Rërës së Hedhur, rreth 1500 metra larg bregut, ku peshkaqeni ka mbetur i bllokuar në rrjetat e peshkimit.
Sipas raportimeve nga terreni, peshkatarët arritën ta identifikojnë dhe ta lirojnë peshkaqenin pas disa sekondash, duke e lejuar të kthehej përsëri në thellësi.
Edhe pse e rrallë, kjo nuk është hera e parë që peshkaqenë të përmasave të mëdha janë parë në ujërat shqiptare të Adriatikut. Ekspertët e faunës detare theksojnë se prania e tyre mund të jetë e lidhur me ndryshimet klimatike, lëvizjet e zakonshme migratore, apo edhe me kërkimin për ushqim në ujëra më të ngrohta dhe të cekëta.
Autoritetet detare nuk kanë lëshuar ende ndonjë paralajmërim për pushuesit, por apelojnë për kujdes në rast se rishfaqen raste të ngjashme.