Trump përgjigjet ndaj kërcënimeve të Medvedevit: Pozicionon dy nëndetëse bërthamore në rajone strategjike

by engel

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka urdhëruar pozicionimin e dy nëndetëseve bërthamore amerikane në rajone strategjike, në përgjigje të deklaratave kërcënuese të ish-presidentit rus Dmitry Medvedev, të cilat ai i cilësoi si “shumë provokuese”.

Përmes një postimi në rrjetin e tij Truth Social, Trump tha:
“Bazuar në deklaratat tejet provokuese të ish-presidentit të Rusisë, Dmitry Medvedev, i cili tani është nënkryetar i Këshillit të Sigurisë së Federatës Ruse, kam urdhëruar që dy nëndetëse bërthamore të pozicionohen në rajonet e duhura.”

banner

Detajet mbi llojin dhe vendndodhjen e nëndetëseve nuk janë bërë publike, për shkak të protokolleve të sigurisë kombëtare. Mbetet gjithashtu e paqartë nëse bëhet fjalë për nëndetëse të pajisura me armë bërthamore apo thjesht me energji bërthamore.

“Fjalët kanë peshë. Shpesh ato çojnë në pasoja të padëshiruara. Shpresoj që kjo të mos jetë një prej atyre rasteve,” shtoi presidenti amerikan.

Kjo përshkallëzim ndodh pas një shkëmbimi të ashpër mes Trumpit dhe Medvedevit në rrjetet sociale, të nxitur nga qëndrimet e ndryshme lidhur me luftën në Ukrainë. Medvedev e kishte kundërshtuar publikisht ultimatumin e Trump për armëpushim të menjëhershëm, duke e cilësuar si “kërcënim ndaj Rusisë” dhe paralajmëroi për “kërcënimin e dorës së vdekur” – një referencë ndaj sistemit të njohur rus të përgjigjes bërthamore automatike.

Në një deklaratë të mëvonshme për mediat, Trump shtoi:

“Një kërcënim u bë nga një ish-president rus. Ne do të mbrojmë popullin tonë. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm.”

Të enjten, Trump e kishte quajtur Medvedev “ish-president i dështuar që sillet si të ishte ende në pushtet”, duke e paralajmëruar të ishte më i kujdesshëm me fjalët.

Pas deklaratave të Trump, tregjet financiare në Moskë pësuan rënie të ndjeshme, ndërkohë që Kremlini nuk ka reaguar ende zyrtarisht.

Presidenti amerikan ka vendosur një afat përfundimtar deri më 8 gusht që presidenti rus Vladimir Putin të tërhiqet nga Ukraina – ultimatum që Moska e ka injoruar. Trump ka kërcënuar gjithashtu me vendosjen e tarifave të rënda ndaj eksporteve ruse, në rast të vazhdimit të agresionit ushtarak.

Ekspertët e sigurisë paralajmërojnë se rritja e retorikës dhe masave ushtarake mes dy fuqive bërthamore rrezikon të përshkallëzojë më tej krizën globale, në një kohë kur SHBA dhe Rusia zotërojnë arsenalet më të mëdha bërthamore në botë.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy