Gaza, e shkatërruar nga lufta, po merr ndihma nga qielli – një zgjidhje e pasaktë, por e domosdoshme.
Të enjten, një avion i Forcave Ajrore të Jordanisë fluturoi mbi peizazhin e rrënuar të Gazës dhe lëshoi paleta me ushqime drejt një territori ku uria po bëhet vdekjeprurëse.
Me dy anëtarë ekuipazhi të lidhur në skaj, dyert e pasme u hapën dhe ndihmat u hodhën me parashutë – një operacion i rrezikshëm, por i domosdoshëm.
Hedhjet ajrore janë të njohura për pasaktësinë e tyre dhe sasia e ndihmave është larg të qenit e mjaftueshme. Megjithatë, për banorët e Gazës, të cilët po përballen me uri ekstreme, çdo ndihmë është jetike.
Pas një ndërprerjeje disa mujore, Jordania dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë rifilluar operacionet ajrore, duke dorëzuar rreth 20 tonë ndihma bazë.
“Ndjej keqardhje. Shpresoj që kjo të ndihmojë. Por dua të bëj më shumë,” tha Saif Alzahrawy, përgjegjës i ngarkesës në një nga fluturimet.
Pas rreth nëntë muajsh ndalim nga Izraeli, ndihmat ndërkombëtare kanë rifilluar këtë javë. Deri tani, janë dorëzuar rreth 100 tonë ndihma nga ajri, sipas ushtrisë jordaneze. Operacioni pritet të vazhdojë për dy javë dhe përfshin edhe Bahreinin, Belgjikën, Kanadanë, Francën, Gjermaninë dhe Spanjën.
Zyrtarët e ndihmës paralajmërojnë se dy milionë banorë të Gazës përballen me uri masive. Shumë vende, përfshirë aleatë të Izraelit, e mbajnë qeverinë izraelite përgjegjëse për krizën. Izraeli, nga ana tjetër, pretendon se po lejon futjen e ndihmave dhe se agjencitë duhet të përmirësojnë shpërndarjen.
Hedhjet ajrore nuk janë pa rrezik. Disa banorë janë mbytur duke u futur në det për të nxjerrë kutitë me ushqime, ndërsa të tjerë janë plagosur në përplasje për ndihmat.
Ekspertët theksojnë se kamionët janë më efikasë për shpërndarje të sigurt dhe të organizuar.
“Ndjej krenari kur ndihmoj vëllezërit e mi. Bëj çfarë mundem,” tha Rami Alslaheen, teknik i avionit, i cili nuk mori pjesë në fluturimin e fundit.
Naftë, oriz dhe artikuj të tjerë bazë u hodhën me parashutë mbi jugun e Gazës. Nga lart, ekuipazhi pa njerëz të shpërndarë në terren – disa nën palma, të tjerë në fusha të hapura, duke pritur me shpresë.
Fati i ndihmave pas uljes mbetet i panjohur.
Në momentin që paletat prekën tokën, avioni ishte nisur tashmë drejt bazës ajrore “King Abdullah II”./New York Times