Zvicra nën goditje ekonomike: Tarifat 39% nga SHBA tronditin ekonominë dhe diplomacinë helvete

by engel

Vendimi i papritur i administratës Trump për të vendosur tarifa doganore prej 39% ndaj Zvicrës ka shkaktuar tronditje në Bernë, duke ndezur alarmin në qarqet politike, ekonomike dhe industriale.

Qeveria zvicerane ka dënuar ashpër masën e re, e cila u bë publike natën e 1 gushtit – pikërisht në ditën e festës kombëtare të Konfederatës. Franga zvicerane ra me 0.4% ndaj dollarit, ndërsa reagimet nga zyrtarët dhe industria ishin të menjëhershme.

banner

“Nuk është e qartë se çfarë kërkojnë Shtetet e Bashkuara nga ne,” tha një deputet zviceran për Financial Times, duke përshkruar klimën e pasigurisë që ka përfshirë vendin.

Me këtë vendim, Zvicra është trajtuar si një “shtet i pabindur”, duke marrë tarifën më të lartë në Europë – më shumë se 35% ndaj Serbisë dhe shumë më tepër se 15% për mallrat nga BE-ja. Kjo normë doganore është madje më e lartë se 31% e përmendur më parë nga Trump gjatë “Ditës së Çlirimit” në prill.

Presidentja zvicerane Karin Keller-Sutter ka tentuar disa herë të kontaktojë me Shtëpinë e Bardhë për të hapur negociata, por pa sukses. Synimi ishte harmonizimi me vendet e tjera evropiane dhe arritja e një marrëveshjeje me taksë 15%. Por tarifa 39% u vendos pa asnjë dialog paraprak.

“Zvicra mbetet në kontakt me autoritetet kompetente amerikane dhe kërkon një zgjidhje të negociuar,” deklaroi qeveria, duke shtuar se do të analizojë situatën dhe do të vendosë për hapat e ardhshëm.

Sipas ekspertëve, një nga arsyet kryesore është suficiti tregtar i Zvicrës me SHBA-të, që në vitin 2024 arriti 38 miliardë dollarë. Një tjetër faktor është mospëlqimi i Trump për industrinë farmaceutike – Novartis dhe Roche, me seli në Bazel, janë ndër eksportuesit kryesorë drejt SHBA-së.

Gjatë vitit 2023, Zvicra eksportoi mallra me vlerë 60.9 miliardë dollarë drejt SHBA-së, ku afro gjysma përbëhej nga produkte farmaceutike. Tarifat e reja rrezikojnë të godasin rëndë këtë sektor, veçanërisht pas kërkesave të administratës Trump për uljen e çmimeve të barnave.

Shoqatat industriale kanë reaguar me shqetësim. Swissmechanic e ka cilësuar tarifën si “një masë të rrezikshme”, ndërsa Swissmem paralajmëron se Zvicra “jeton nga eksportet e saj”.
“Këto taksa janë krejtësisht irracionale dhe arbitrare,” tha Stefan Brupbacher, drejtor i Swissmem.

Berna ka vetëm disa ditë në dispozicion për të negociuar një marrëveshje dhe për të shmangur hyrjen në fuqi të tarifave më 7 gusht. Nëse nuk arrihet një kompromis, Zvicra do të renditet mes vendeve më të penalizuara në botë – përkrah Sirisë, Mianmarit dhe Brazilit.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy