Ne jemi “pro njohjes së shtetit palestinez”, por “njohja e diçkaje që nuk ekziston është jorealiste, ndërsa puna për ndërtimin e shtetit palestinez është konkrete”, deklaroi ministri i Jashtëm Italian, Antonio Tajani në një takim në Ankona për të prezantuar masat e qeverisë për rajonin Marche.
“Ne jemi absolutisht pro njohjes së shtetit palestinez. Procesi, për sa na përket neve, ka kohë që ka filluar. Në të gjitha takimet që kemi zhvilluar me vendet e Gjirit, të gjitha vendet arabe, përfshirë Egjiptin, gjithmonë kemi thënë se Palestina, aktualisht e ndarë në dy pjesë: Bregu Perëndimor dhe Gaza, duhet të rindërtohet. Ne jemi gjithashtu të gatshëm të dërgojmë trupat tona në një mision të mundshëm të Kombeve të Bashkuara të udhëhequr nga arabët për të rindërtuar shtetin palestinez”, deklaroi ai.
“Ne gjithashtu besojmë fuqimisht në propozimet egjiptiane, të miratuara nga e gjithë bota arabe, për të ardhmen e Gazës pas armëpushimit”, theksoi Tajani.
“Asnjë palestinez nuk duhet të largohet nga Gaza: ata duhet të jetojnë në shtëpinë e tyre, në një shtet të ri. Ne kemi bashkëpunuar me vendet e Gjirit dhe Egjiptin për muaj të tërë për të arritur këtë qëllim. Ne do të marrim pjesë në konferencën e ardhshme që do të mbahet në Egjipt, ashtu siç morëm pjesë në të fundit të organizuar për të ardhmen e Gazës dhe rindërtimin e saj. Tani duhet të shtyjmë përpara për t’i dhënë fund bombardimeve. I kemi thënë qeverisë izraelite: jo më bombardime. I themi Hamasit: jo më përdorimin e popullit palestinez si mburoja njerëzore”, shtoi ai.
“Të gjitha pengjet duhet të lirohen: kemi parë imazhe tronditëse nga Gaza. Jo më vdekje, jo më viktima të pafajshme. Jo më të shtëna ndaj të krishterëve. Jo më sulme ndaj fshatrave të krishtera në Bregun Perëndimor. Të krishterët e pranishëm në Lindjen e Mesme janë një element stabiliteti dhe paqeje. Përpjekja për të eliminuar praninë e krishterë në Gaza ose në Bregun Perëndimor është një gabim i rëndë’’, theksoi ai.